Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot, ka shprehur gatishmërinë e shtetit francez për të mbështetur Kosovën në organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, ngjarjen më të madhe sportive që do të mbahet ndonjëherë në vend.
Gjatë një deklarimi publik, Guérot e cilësoi organizimin e Lojërave Mesdhetare si një mundësi të jashtëzakonshme për Kosovën që të prezantohet në arenën ndërkombëtare dhe të forcojë imazhin e saj para botës.
“Ne jemi të gatshëm ta mbështesim Kosovën për organizimin e Lojërave Mesdhetare. Kjo do të jetë një mundësi shumë e mirë për Kosovën që të prezantojë veten para pjesës tjetër të botës dhe të bëjë brendimin e vetes. Do të jenë lojërat e Kosovës, por ne jemi të gatshëm të ndajmë përvojën tonë me ta, sepse edhe ne kemi pritur Lojëra Olimpike që ishin një sukses. Ne jemi të gatshëm të punojmë për ta mbështetur Kosovën”, deklaroi ambasadori francez.
Ai theksoi se Franca mund të kontribuojë me ekspertizën e fituar nga organizimi i ngjarjeve të mëdha sportive, duke përfshirë edhe përvojën e fundit nga organizimi i Lojërave Olimpike, të cilat u vlerësuan gjerësisht si një sukses.
Kosova do të jetë nikoqire e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030, një ngjarje që pritet të mbledhë mijëra sportistë dhe zyrtarë nga vendet e rajonit mesdhetar. Garat do të zhvillohen në Prishtinë dhe në disa qytete të tjera të vendit.
Organizimi i kësaj ngjarjeje konsiderohet një projekt me rëndësi strategjike për sportin dhe promovimin e Kosovës, ndërsa pritet të shoqërohet me investime të mëdha në infrastrukturën sportive, transport dhe shërbime të tjera përcjellëse.
Mbështetja e Francës vlerësohet si një sinjal i rëndësishëm për përgatitjet e Kosovës drejt organizimit sa më të suksesshëm të Lojërave Mesdhetare 2030.
Kosovapress
D.L
