Presidenti francez Emmanuel Macron priti sot homologun e tij nga Benini, Presidentin Patrice Talon, për të nënshkruar zyrtarisht kthimin e 26 veprave të artit të marra nga Pallati Abomey i ish-kolonisë franceze – sot një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, përcjell UBT News.
26 pjesët nga një grumbull objektesh të rrëmbyera nga forcat franceze në 1892, u ekspozuan në muzeun Quai Branly në Paris, në prag të ceremonisë së së martës. Ato do të kthehen në Afrikë në ditët në vijim.
Vendimi për t’i kthyer ato vjen pas thirrjeve në rritje në Afrikë për vendet evropiane që të kthejnë objektet e plaçkitura nga muzetë.
Thesaret janë nga mbretëria e Dahomey në jug të Beninit të sotëm dhe përfshijnë fronin e mbretit të fundit të Dahomey, Behanzin, si dhe tre statuja totemike, katër dyer pallati, disa altarë portativë dhe tre shkopinj vallëzimi luftëtarësh.
Sipas Elysée, ky vendim i presidentit Macron“shënon një hap të rëndësishëm në ndërtimin e një marrëdhënie të re midis Francës dhe Afrikës”.
Edhe ligjvënësit në Francë kishin mbështetur me shumicë dërrmuese kthimin e një grupi artefaktesh në Benin dhe Senegal, një tjetër ish-koloni franceze./UBTNews/