Një foto e një gruaje shtatzënë e cila po ikte nga një maternitet i bombarduar u bë një nga imazhet më ikonike të luftës në Ukrainë. Por subjekti i saj ishte në shënjestër të një fushate të jashtëzakonshme dezinformimi ruse dhe ajo nxiti urrejtje nga të dyja palët.
E mbështjellë me një jorgan e ballin e gjakosur, imazhi i Marianna Vyshemirsky u pa në mbarë botën. Fotoja është realizuar si pasojë e një sulmi ajror rus në Mariupol. Ajo qarkulloi në internet, në faqet e para të gazetave dhe u debatua në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Por edhe pse i shpëtoi sulmit, Marianna u përball me një sulm tjetër – dezinformim dhe urrejtje ndaj saj dhe familjes së saj.
Ndërsa Rusia u përpoq të mbillte gënjeshtra për sulmin, 29-vjeçarja Marianna u akuzua në mënyrë të rreme për “aktronte”. Madje, diplomatët rusë pohuan se ajo kishte “luajtur” jo një, por dy gra të ndryshme.
“U përballa me kërcënime se do të vinë dhe do të më gjejnë, do të më vrasin, do të ma copëtojnë fëmijën”, deklaroi ajo.
Kjo është intervista e saj e parë me një media të njohur perëndimore pasi u evakuua në vendlindjen e saj në një pjesë të Donbasit të kontrolluar nga separatistët rusë.
“Gjërat u kthyen përmbys”
Jeta në Mariupol ishte shumë ndryshe para luftës. Marianna promovoi produkte bukurie në rrjetet sociale, ndërsa bashkëshorti i saj Yuri punonte në fabrikën e çelikut Azovstal.
“Kemi pasur një jetë të qetë dhe të thjeshtë”, thotë ajo, dhe më pas, natyrisht, gjërat u kthyen përmbys.
Instagrami i saj është dëshmi se mezi po priste të bëhej nënë.
Por në kohën kur Marianna u shtrua në spital, Mariupol ishte qyteti më i bombarduar në Ukrainë. Më 9 mars, ajo po bisedonte me gra të tjera në repart kur një shpërthim tronditi spitalin. Ajo tërhoqi një batanije mbi kokë. Pastaj goditi shpërthimi i dytë.
Gratë u strehuan në bodrum me civilë të tjerë. Marianna pësoi një prerje në ballë dhe copëza xhami mbetën në lëkurën e saj, por një mjek i tha asaj se nuk kishte nevojë për qepje. Ajo që kishte nevojë, shpjegon ajo, ishte të merrte gjësendet e saj nga rrënojat e spitalit. Ajo i kërkoi një oficeri policie që ta ndihmonte të kthehej brenda.
“Gjithçka që kisha përgatitur për fëmijën tim ishte në atë maternitet”, thotë ajo.
Anatomia e një gënjeshtre
Teksa qëndronte jashtë spitalit, duke pritur për të marrë gjërat e saj, ajo u fotografua nga gazetarët e Associated Press. Ata ia realizuan edhe një fotografi ndërsa ajo zbriste shkallët duke dalë nga ndërtesa.
Këto imazhe u bënë shpejt virale. Dhe pikërisht atëherë në një kanal në Telegram pro-Kremlinit u shfaqën për herë të parë pretendimet e rreme se fotografitë ishin “inskenuar”. Ata e shfrytëzuan aktivitetin e saj si blogere për të pretenduar se ajo ishte “aktore” që ka përdorur grimin për të falsifikuar lëndimet. Këto gënjeshtra u përsëritën dhe u përforcuan nga zyrtarë të lartë rusë dhe media shtetërore. Madje ata pohuan se një foto e një gruaje tjetër shtatzënë në barelë ishte edhe Marianna, edhe pse duket qartë se fotot janë të personave të ndryshëm. Gruaja në barelë dhe fëmija i saj i palindur më vonë vdiqën nga plagët e marra.
Për shkak se po largohej nga vendi dhe nuk kishte qasje në internet, Marianna nuk i pa këto fotografi deri pas disa ditësh. Në atë pikë, Instagrami i saj u përmbyt me akuza dhe mesazhe kërcënuese.
“Ishte vërtet fyese ta dëgjoja këtë, sepse në fakt e kam jetuar të gjithën”, thotë ajo.
Por ajo u përmbajt nga kritikat e drejtpërdrejta ndaj zyrtarëve rusë që përhapën informacione të rreme për të. Megjithatë ka kritika ndaj Associated Press.
“Unë u ofendova që gazetarët që kishin postuar fotot e mia në rrjetet sociale nuk kishin intervistuar gra të tjera shtatzëna që mund të konfirmonin se ky sulm kishte ndodhur vërtet”, deklaroi ajo.
Ajo sugjeron se kjo mund të ndihmojë për të shpjeguar situatën se pse disa njerëz “patën përshtypjen se gjithçka ishte inskenim”.
Pak ditë pas sulmit, ajo lindi vajzën Veronika në një spital tjetër./UBTNews/