Përpunimi i luftës së Rusisë ndaj Ukrainës ka qenë një sfidë për të gjithë fëmijët, veçanërisht ata që u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre, që iu thanë lamtumirë anëtarëve të familjes dhe të cilëve e gjithë jeta iu ndryshoi brenda natës.
Për të ndihmuar këta fëmijë që u traumatizuan nga jeta në zona lufte dhe për të tërhequr vëmendjen për gjendjen e tyre të vështirë, artisti Brian McCarty po kap luftën përmes syve të tyre. Përmes projektit të tij, “War Toys”, fotografi po u kërkon fëmijëve që ta paraqesin dhunën që kanë përjetuar përmes artit.
“Ne duam të bëjmë gjithçka që mundemi ndërkohë që luftimet po vazhdojnë, duke ditur se rimëkëmbja e vërtetë nuk ndodh derisa të ndalen luftimet”, tha McCarty në një intervistë për ABC News të premten, teksa shtoi se po mundohet që në çdo formë të ofrojë mbështetje.

McCarty bashkëpunon me organizatat që punojnë në zonën e luftës për të rikrijuar vizatimet e fëmijëve në jetën reale, duke përdorur lodrat që gjenden në zonën lokale dhe duke i vënë ato në skenë për të përfaqësuar veprat artistike të vizatuara nga ata.
Për të nisur këto përpjekje në Ukrainë, McCarty bashkëpunoi me “First Aid of the Soul”, që sapo u krijua nga terapistja ukrainase e artit, Nathalie Robelot. Pasi të jetë e sigurt, terapistët do të mbledhin histori nga fëmijët e prekur.
“War Toys” gjithashtu punon me agjencitë e Kombeve të Bashkuara për të përforcuar zërat e fëmijëve nën kujdesin e tyre dhe për të prodhuar vepra arti me shpresën për të frymëzuar ndryshimin përmes fushatave dhe prezantimeve./UBTNews/