Mario Testino është ndër fotografët më të njohur në botë. Puna e tij është paraqitur në revistën: Vogue, V Magazine, Vanity Fair dhe GQ. Ai gjithashtu ka krijuar imazhe për marka si Gucci, Burberry, Versace, Michael Kors, Chanel, dhe ka punuar me supermodelet Kate Moss, Cara Delevingne, Gigi Hadid dhe shumë të tjera.
Megjithatë, ai dje ka marrë vëmendje me një fotografi të postuar në llogarinë e tij zyrtare në Instagram, ku shihet një grua arbëreshe e cila jeton në Sicili, duke e përshkruar atë me fjalën “elegancë”.
Fotografinë ku prezantohet kultura e veçantë e arbëreshëve të Italisë, ai e shoqëroi me mbishkrimin:
“Vitin e kaluar pata mundësinë të fotografoj një grua arbëreshe, banore me origjinë shqiptare në Sicili. Ata erdhën shekuj më parë dhe u bënë pjesë e Italisë, por kurrë nuk i harruan traditat e tyre ose lidhjen e tyre me vendin e tyre të lindjes. Takimi me ta ishte një përvojë e mahnitshme dhe më kujtoi mua, si një peruan, se largimi nga vendi juaj nuk do të thotë të humbni atë që jeni“, shkroi Testino.
Testino ka punuar gjithashtu si drejtor krijues, themelues muzeu, koleksionist i artit, bashkëpunëtor dhe sipërmarrës.
“Unë fotografoj atë që shoh – dhe atë që dua të shoh”, thotë ai. Imazhet e Testinos janë të mbushura me jetë dhe personalitet – ndoshta xhirimi i tij më i famshëm ishte i Princeshës Diana të ndritshme, të gjallë, vetëm disa muaj para vdekjes së saj në 1997./UBTNews