UBT News

Foshnja në Izrael lind me një embrion në barkun e saj

Një bebe e sapolindur në Izrael ka shokuar mjekët, me rastin e saj të njohur si ekstremisht të rrallë në mjekësi.

“The Times of Israel” ka raportuar se një foshnje vajzë ka lindur me një embrion të krijuar në barkun e saj, në rastin e njohur si “fetus në fetus”, një anomali kjo e lindur që ndodhë një herë në 500,000 lindje. Vajza raportohet të ketë lindur në fillim të muajit korrik në një qendër spitalore në Ashdod.

Anomalia ishte vërejtur gjatë ultrazërave të bërë gjatë shtatzënisë së nënës, me ç’ rast ishte vërejtur se fetusi kishte një bark jashtëzakonisht të madh. Menjëherë pas lindjes, mjekët kishin dyshuar se ka diçka brenda foshnjës, gjë që më vonë, pas ultratingujve ishte konfirmuar se ishte fetus.

“Ne u befasuam kur zbuluam se ishte një embrion”, ka thënë doktori Omer Globus, drejtor i Neonatologjisë në Assuta.

Gjatë ndërhyrjes kirurgjike për të larguar embrionin, mjekët kishin vërejtur dy qese të ngjashme në barkun e foshnjës, duke i bërë ata të besojnë se mund të ishin më shumë se një embrion.

“Mendojmë se kishte më shumë se një embrion, dhe për këtë jemi ende duke bërë hulumtime”, ka deklaruar Globus.

Pas operacionit i cili ka shkuar me sukses, foshnja tash është më mirë dhe po rikuperohet në tërësi.

Mjeku Globus ka thënë se embrioni i larguar nga trupi i foshnjës nuk ishte formuar ende.

“Nuk dukej si një embrion siç mund ta imagjinoni”, ka thënë ai, duke shtuar se kanë parë një zemër dhe disa eshtra të zhvilluara.

Një shpjegim se si mund të ketë ndodhur kjo është se shtatzënia mund të ketë filluar si binjakë por më pas, njëri nga embrionet u absorbua./koha

Exit mobile version