Garat e Formula 1 do të jenë më të shkurtra nga sezoni 2027, si pasojë e ndryshimeve të planifikuara në njësitë e fuqisë dhe rritjes së rrjedhës së karburantit.
Komisioni i Formula 1 ka miratuar propozimin që distanca standarde minimale e një gare të reduktohet nga 305 në 290 kilometra.
Ky ndryshim lidhet me gjeneratën e re të njësive të fuqisë, e cila do të hyjë në fuqi nga viti 2027. FIA synon të rrisë rolin e motorit me djegie të brendshme përmes rritjes së rrjedhës së karburantit.
Sipas rregullave të reja, motori V6 do të prodhojë deri në 420 kW, ndërsa fuqia maksimale e sistemit elektrik MGU-K do të reduktohet në 300 kW. Përjashtim do të ketë në modalitetin e parakalimit, ku fuqia e MGU-K do të arrijë në 350 kW.
Për të mundësuar rritjen e fuqisë së motorit me djegie të brendshme, rrjedha e karburantit do të rritet me rreth pesë për qind.
Si rezultat, në vitin 2027 raporti i fuqisë së njësisë do të jetë 58:42 në favor të motorit me djegie të brendshme, ndërsa në vitin 2028 pritet të shkojë në 60:40.
Fillimisht ishte diskutuar mundësia e rritjes së kapacitetit të rezervuarit të karburantit, por kjo do të sillte edhe rritje të peshës së makinave. Për këtë arsye, është zgjedhur alternativa e shkurtimit të distancës së garave me 15 kilometra.
Në varësi të karakteristikave të pistës, kjo pritet të nënkuptojë rreth dy deri në tri xhiro më pak për garë.
Ndryshimi do të zbatohet për distancën standarde të garave të Formula 1. Përjashtim do të vazhdojë të jetë Grand Prix i Monakos, i cili tashmë zhvillohet në një distancë më të shkurtër dhe i nënshtrohet rregullave specifike.
Vendimi i Komisionit të F1 duhet të marrë ende miratimin formal të Këshillit Botëror të Sportit Motorik të FIA-s. Pas këtij miratimi, ndryshimet pritet të hyjnë në fuqi nga sezoni 2027.
D.L
