Futbollistët shqiptarë po përjetojnë paraqitje mjaft të mira me skuadrat e tyre në Evropë. Paraqitjet e tyre po u ndihmojnë skuadrave për t’i arritur objektivat dhe në të njëjtën kohë lojtarët po zhvillohen mjaft mirë në aspekt individual.
Lojtarët po aktivizohen në liga të ndryshme evropiane siç janë: La Liga, Bundesliga, Superliga e Turqisë, Superliga e Rumanisë.
Lista fillon me Albion Rrahmanin, i cili këtë verë u transferua nga kampionët në fuqi të Kosovës, Ballkani, për te Rapid Bucuresti, në Rumani. Qendersulmuesi 23-vjeçar, me Rapid Bucuresti-n gjatë këtij sezoni numëron 14 paraqitje në të gjitha garat ku edhe arriti të shënoj plot 11 herë dhe të asistoj dy herë. Mirëpo përveç paraqitjeve me kryeqytetasit rumun, shtatlarti kosovar gjatë këtij edicioni regjistroi edhe katër paraqitje me Ballkanin në kuadër të kompeticioneve të UEFA-s (Play-Off te Champions League dhe Conference League) ku po ashtu shënoi dy gola dhe dhuroi tri asiste.
Më pas është Florent Muslija, i cili këtë sezon e filloi te skuadra e Paderborn në Bundesliga 2, për t’u transferuar më pas në kampionatin elitar të Gjermanisë, te Freiburg. 25-vjeçari luan në pozitën e mesfushorit të avancuar dhe gjatë këtij sezoni me të dyja klubet ka arritur të shënoj nëntë gola dhe katër asistime në 23 paraqitje.
Ernest Muci është lojtari i radhës i cili po shkëlqen këtë sezon. 22-vjeçari së fundmi u transferua te Besiktas nga kampionati polak ku aktivizohej te Legia Warszawa. Sulmuesi i kombëtares shqiptare, në gjysmën e parë të sezonit arriti të shënoj nëntë gola dhe të asistoj vetëm një herë me fanellën e Leigias në të gjitha garat. Kurse pas transferimit te Besiktas, ai gjeti rrugën e rrjetës njëherë në katër ndeshje të luajtura.
Pastaj kalojmë te Arbnor Muja, i cili po ashtu gjatë afatit kalimtar të dimrit bëri një lëvizje drejt superligës turke te Samsunspor. Muja në fillim të këtij edicioni luante me Antwerpin, në Belgjikë ku pati 34 paraqitje në të cilat shënoi gjashtë gola dhe tri asistime në të gjitha garat. Ndërsa pas transferimit në kampionatin turk, 25-vjeçari shënoi një gol në tri ndeshje.
Listës nuk i mungon edhe Myrto Uzuni. 28-vjeçari po bën mjaft mirë me fanellën e Granada-s në La Liga këtë edicion. Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë ka luajtur 25 ndeshje deri më tani ku shënoi shtatë herë dhe dhuroi një asistim.
Krejt në fund kësaj renditje i bashkohet Vedat Muriqi, i cili deri më tani me fanellën e Mallorca-s ka arritur shifrën e pesë golave në 18 paraqitje. Po ashtu, qendërsulmuesi i Kombëtares së Kosovës asistoi edhe dy herë të tjera gjatë këtyre ndeshjeve./UBTNews/
Shkroi: Arti Haziraj