Forcat ruse në Ukrainën lindore janë duke arritur suksese taktike kundër mbrojtjes së forcave ukrainase, sipas një raporti të inteligjencës nga Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar.
Në lindje, Moska gjithashtu duket se ka iniciativën në rajonin e Donbasit dhe po pushton 90% të Luhanskut, ndërsa lufta hyn në ditën e 100-të.
“Rusia tani është duke arritur sukses taktik në Donbas. Forcat ruse kanë gjeneruar dhe ruajtur vrullin dhe aktualisht duket se mbajnë iniciativën mbi opozitën ukrainase. Rusia kontrollon mbi 90% të rajonit të Luhanskut dhe ka të ngjarë të përfundojë kontrollin brenda dy javëve të ardhshme. Gjithashtu rusët i kanë arritur këto suksese taktike të kohëve të fundit me kosto të konsiderueshme burimesh, dhe duke përqendruar forcën dhe zjarret në një pjesë të vetme të fushatës së përgjithshme“, thuhej në një deklaratë të ministrisë.
Megjithë ndërtimin e vrullit në frontin lindor dhe zgjerimin e kontrollit të tij mbi rajonin e Donbasit, forcat ruse nuk kanë bërë ndonjë përparim të rëndësishëm në frontet e tjera.
Për më tepër, përparimet ruse në lindje zvogëlohen nga iniciativat e dështuara të saj për të avancuar në veri dhe perëndim, e cila nuk arriti të pushtonte kryeqytetin Kiev.
Sipas vlerësimeve të OKB-së, të paktën katër mijë e 113 civilë janë vrarë dhe katër mijë e 916 janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i luftës më 24 shkurt, me bilancin e vërtetë që besohet të jetë shumë më i lartë.
Mbi 6.8 milionë njerëz kanë ikur në vende të tjera, ndërsa më shumë se 7.7 milionë janë zhvendosur brenda vendit, sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët. /UBTNews/