UBT News

Fondacioni “Shqipe Luzha Heroi” dhe UBT shpallin konkurs për tre bursa Bachelor në Inxhinieri

Fondacioni Shqipe Luzha Heroi, në bashkëpunim me Kolegjin UBT, në vazhdën e bashkëpunimit të suksesshëm të vitit të kaluar, shpall konkursin për ndarjen e tri  bursave për studente të nivelit Bachelor në programet e Inxhinierisë në UBT, për vitin akademik 2026/2027.

Pas ndarjes së dy bursave gjatë vitit të kaluar, Fondacioni Shqipe Luzha Heroi ka vendosur të vazhdojë mbështetjen për studentet e UBT-së, duke rritur numrin e bursave në tri . Ky bashkëpunim pasqyron përkushtimin e Fondacionit për mbështetjen dhe fuqizimin e vajzave dhe grave të reja në fushat inxhinierike, si dhe angazhimin e UBT-së për ofrimin e arsimit cilësor dhe krijimin e mundësive për zhvillimin e tyre akademik e profesional.

Qëllimi i këtij konkursi është mbështetja e studenteve me rezultate të larta akademike dhe potencial për zhvillim profesional, si dhe nxitja e pjesëmarrjes dhe kontributit të tyre në zhvillimin shkencor, kërkimor dhe teknologjik.

Të drejtën e aplikimit e kanë studentet që kanë të regjistruar vitin e dytë ose të tretë të studimeve në vitin akademik 2026/2027, në programet e Inxhinierisë në UBT.

Kandidatet duhet të plotësojnë këto kritere:

  • Të kenë notë mesatare mbi 7.5, të dëshmuar përmes pasqyrës së notave;
  • Të mos jenë përfituese të ndonjë burse tjetër;
  • Të jenë studente të rregullta;
  • Të jenë shtetase të Republikës së Kosovës.

Konkursi do të jetë i hapur nga data 25 nëntor 2026 deri më 15 dhjetor 2026. 

Studentet që plotësojnë kriteret e përcaktuara mund të aplikojnë përmes linkut të mëposhtëm:

Linku për aplikim: www.shqipeluzhaheroi.com

Dokumentacioni i pakompletuar, i pasaktë ose i dorëzuar jashtë afatit të përcaktuar nuk do të merret në shqyrtim nga komisioni vlerësues.

Lista e studenteve përfituese do të shpallet në ambientet e UBT-së, në Kampusin Inovativ.

Kandidatet që kanë aplikuar kanë të drejtë ankese brenda shtatë (7) ditësh nga data e publikimit të rezultateve. Ankesat dorëzohen në arkivin e Fondacionit dhe shqyrtohen nga komisioni për ankesa.

Përmes vazhdimit të këtij bashkëpunimi, Fondacioni Shqipe Luzha Heroi dhe Kolegji UBT dëshmojnë përkushtimin e përbashkët për mbështetjen e studenteve të dalluara dhe fuqizimin e rolit të grave në fushat e inxhinierisë. Rritja e numrit të bursave përbën një hap të rëndësishëm në këtë partneritet, duke krijuar më shumë mundësi për arsimim, zhvillim profesional dhe avancimin e vajzave të reja në shkencë dhe teknologji.

Exit mobile version