Pasi arriti të fitojë gjithçka me Bayernin e Munich, Hansi Flick po përgatitet për të nisur eksperiencën si trajner i kombëtares gjermane, megjithatë në një intervistë për mediat vendase ka zbuluar se ka refuzuar dy oferta nga klube të njohura evropiane.
“Para se të firmosja me Federatën Gjermane, bëra dy video-telefonata me dy klube shumë të njohura ndërkombëtare, të cilat ishin të interesuara për të më ofruar pankinën. Me njërën prej tyre, fola direkt me presidentin, i cili provoi të më ndryshojë mendje, por doja patjetër stolin e kombëtares”, tregon Flick.
Më pas tekniku zbuloi se “iu prish telefoni” nga mesazhet e shumta pasi firmosi me Kombëtaren gjermane, teksa paralajmëroi se nuk do të bëjë shumë ndryshime në emra lojtarësh, në grumbullimin e radhës.
“Menjëherë sapo firmosa, mora telefonata e mesazhe pa fund. Më tepër se 600 mesazhe në një ditë, nuk i kisha marrë as kur fitova Ligën e Kampionëve. Sa i përket listës, nuk do të ketë asnjë emër të përjashtuar. Kushdo që ka mundësinë të na ndihmojë, është i mirëpritur ta bëjë, pavarësisht emrit apo moshës”, deklaroi tekniku gjerman.