UBT News

Fjalimi patakt i përfaqësuesit rus në OKB

Përfaqësuesi i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Vasily Nebenzya, gjatë fjalës së tij në seancën e Këshillit të Sigurimit për Kosovën ka përdorur fjalor të papërshtatshëm ndaj ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, duke i kërkuar “të mos filozofojë”.

Ai pretendoi se Kosova mbetet vatër e tensionit në Ballkan duke i kërkuar komunitetit ndërkombëtar vëmendje më të shtuar në Republikën e Kosovës.

“Ne do ta këshillonim zonjën Gërvalla-Schwarz që të mos përpiqet të filozofojë dhe të përpiqet të bëjë një analizë gjeopolitike të situatës… Kosova mbetet vatra kryesore e tensionit në Ballkan dhe minon përpjekjet për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon. Situata e sigurisë gjithashtu po përkeqësohet vazhdimisht dhe kjo kërkon një vëmendje të madhe që i kushtohet komunitetit ndërkombëtar dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, tha përfaqësuesi rus.

Përfaqësuesi rus, duke folur me fjalorin e zakonshëm të shtetit të tij kur bëhet fjalë për Kosovën, e cilësoi si provoaktive edhe patrullimet e Policisë së Kosovës në Ujman.

Ndërsa tha se “një moment i rrezikshëm” është më 31 tetor kur skadon afati për regjistrimin e automjeteve me targat e Republikës së Kosovës.

“Një patrullim provokues pa arsye objektive është bërë nga pala kosovare mbi rezervuarin e ujit në Ujman, i cili është afër me zonën qendrore të Serbisë. Serbeve u ndalohet përdorimi i targave neutrale nën kërcënimin me gjoba. Në fund të korrikut, ky vendim i sjellë nga Prishtina pothuajse ka rezultuar me gjakderdhje. Një tjetër moment historik i rrezikshëm do të jetë data 31 tetor, kur skadon afati për zëvendësimin e targave”, shtoi përfaqësuesi rus.

Në fjalën e tij, Nebenzya kërkoi edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Exit mobile version