Romelu Lukaku edhe zyrtarisht është futbollist i Chelseat. Pas dy sezoneve të suksesshme në Itali, ku shënoi 64 gola në 95 paraqitje me Interin, Lukaku është rikthyer në Angli te Chelsea.
Blutë e Londrës, që triumfuan edicionin e kaluar në Champions League, vendosën të shpenzojnë 115 milionë euro për 28-vjeçarin, që synojnë të luftojnë për titullin e Premierligës.
I rritur te belgët e Anderlechtit, Lukaku mbërriti për herë të parë te Chelsea në verën e 2011-ës, por gjeti shumë pak hapësira dhe pas huazimesh te WBA e Everton, u shit plotësisht te këta të fundit në verën e 2014-ës.
Më pas karriera e Lukakut erdhi në rritje, pasi u transferua te Manchester United, ku fitoi Europa Leaguen e më vonë te Interi, ku ngriti lart trofeun e Serisë A, ndërsa tani rikthehet te Chelsea me një tjetër status e gati për të lënë gjurmë.
“Ka qenë një udhëtim i gjatë për mua. Erdha këtu kur isha ende një fëmijë që kishte shumë për të mësuar dhe tani rikthehem me shumë eksperiencë dhe shumë më i pjekur. Marrëdhënia që kam me këtë klub është shumë domethënëse për mua. E kam mbështetur Chelsean që fëmijë dhe është një ndjenjë e jashtëzakonshme që të rikthehem dhe të provoj të ndihmoj skuadrën të fitojë edhe më shumë tituj”, deklaroi Lukaku.
“Unë mendoj se kjo mundësi më erdhi në kohën e duhur dhe uroj që të fitojmë sa më shumë së bashku. Ambiciet e klubit përputhen plotësisht me ato të miat, pasi jam 28 vjeç dhe sapo kam fituar Serinë A. Që kur lashë Chelsea-n, kam kaluar shumë ulje-ngritje, por tani vij me shumë më tepër eksperiencë dhe mezi pres të ndihmoj skuadrën në fushën e lojës”, u shpreh belgu.