UBT News

Fjalë për fjalë: Takimi i redaksive, enciklopedia shqiptare merr formë

Puna për realizimin e “Enciklopedisë Shqiptare” ka hyrë në një fazë të re, ku redaksitë e ngritura sipas fushave përkatëse u mblodhën në Prishtinë për të diskutuar dhe vendosur mbi fjalësin e përzgjedhur. Këto takime, që do të vazhdojnë deri më 26 Shtator, synojnë të unifikojnë dhe harmonizojnë terminologjinë që do të përdoret në enciklopedinë e re.

Akademia e Shkencave ka njoftuar se deri në përfundimin e kësaj periudhe, të gjitha redaksitë — 27 në Shqipëri dhe 29 në Kosovë — duhet të kenë finalizuar njësimin e fjalësit. Diskutimet e deritanishme janë përqendruar në identifikimin dhe zgjidhjen e problemeve të njësive të diskutueshme, me qëllim shmangien e çdo lloj moskoherencash, shkruan Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sipas burimeve nga Akademia, në takime janë marrë vendime të rëndësishme për fjalësin e përbashkët, i cili do të kalojë nga një fjalës i bashkuar në një fjalës të stabilizuar dhe të unifikuar. Redaksitë për letërsinë kanë bërë saktësime e plotësime në përgatitjen e fjalësit të përbashkët, duke theksuar rëndësinë e këtij procesi për kulturën dhe identitetin kombëtar.

Në fushën e arkeologjisë dhe lashtësisë, redaksitë përkatëse, të drejtuara nga prof. Neritan Ceka, akad. asoc. Gëzim Hoxha dhe dr. Arianit Buçinca, kanë arritur një fjalës të përbashkët, por stabilizimi i tij do të vazhdojë edhe më tej. Një takim mes redaksive të historisë ka lehtësuar shkëmbimin e informacionit dhe përgatitjen e fjalësve për temat e ndryshme historike, përfshirë Mesjetën, Bizantin dhe periudhën osmane.

Akademia njoftoi gjithashtu se redaksia e Tiranës, e cila ka filluar punën me vonesë relative, ka përgatitur një listë emrash dhe emërtimesh që kapin mbi një mijë njësish, të mbledhura nga Edmond Malaj. Ndërkohë, redaksia e Prishtinës ka përfunduar fjalësin e saj, i cili është gati për shkëmbim me kolegët e Tiranës, në procesin e kalimit drejt një fjalësi të përbashkët.

Akad. J. Bajraktari, përfaqësues i redaksisë së Prishtinës, propozoi që ky fjalës të përbashkët të realizohej deri më 8 Tetor. Ndërsa, drejtuesi i redaksisë së Tiranës, akad. Pëllumb Xhufi, kërkoi një periudhë të shtuar kohore për të siguruar përfundimin e punës. Megjithatë, deri në fund të vitit, të gjitha redaksitë pritet të jenë sinkronizuar me njëra-tjetrën, duke hedhur kështu një bazë të fortë për “Enciklopedinë Shqiptare”, një projekt që synon të ruajë dhe promovojë kulturën dhe trashëgiminë shqiptare në tërësi./UBTNews/

 

Exit mobile version