Turqia e mbylli me fitore paraqitjen në Kupën e Botës, por suksesi 3:2 ndaj SHBA-së nuk mjaftoi për të siguruar një vend në fazën e nokautit.
Në ndeshjen e zhvilluar në Inglewood, të premten në mëngjes sipas kohës së Kosovës, turqit triumfuan falë një goli dramatik të Kaan Ayhan në minutën e 98-të. Megjithatë, dy humbjet e mëparshme ndaj Australisë dhe Paraguait rezultuan fatale për ekipin turk, që e mbylli garën në vendin e fundit të Grupit D me tri pikë.
SHBA-ja, pavarësisht humbjes, e ruajti pozitën e parë në grup me gjashtë pikë dhe avancoi në fazën tjetër. Australia u rendit e dyta me katër pikë, ndërsa Paraguai përfundoi i treti, gjithashtu me katër pikë, dhe pritet të sigurojë kalimin tutje si një nga ekipet më të mira të vendeve të treta.
Për Turqinë shënuan Arda Güler në minutën e 10-të, Burak Yılmaz në të 31-tën dhe Kaan Ayhan në minutën e 98-të. Për SHBA-në realizuan Auston Trusty në minutën e tretë dhe Sebastian Berhalter në minutën e 49-të.
Amerikanët, të cilët e kishin siguruar më herët kualifikimin, u paraqitën me një formacion të ndryshuar, duke aktivizuar nëntë lojtarë të rinj nga minuta e parë.
Turqia kishte udhëtuar drejt SHBA-së me pritshmëri të larta, pasi në plejof kishte eliminuar Kosovën, por dështimet në dy ndeshjet e para ia pamundësuan vazhdimin e garës.
Në ndeshjen tjetër të Grupit D, Australia dhe Paraguai barazuan 0:0.
D.L
Foto:.theguardian
