Boksierja kosovare Donjeta Sadiku ka shënuar fitore bindëse në kuadër të turneut prestigjioz “Kupa Botërore e Boksit”, që po mbahet në Foz do Iguaçu të Brazilit.
Në mbrëmjen e 22 prillit, në kategorinë deri në 60 kilogramë, Sadiku e mposhti përfaqësuesen e Zelandës së Re, Jordan Wilson, me rezultat të pastër 5:0. Ajo e nisi meçin fuqishëm që në raundin e parë, duke e rrëzuar dy herë kundërshtaren në knockdown. Dominimi i saj vazhdoi edhe në raundin e dytë, ku realizoi një tjetër knockdown, duke detyruar gjyqtarin të ndërhyjë me numërim dhe të ndalë përkohësisht kundërshtaren. Në raundin e tretë, Sadiku ruajti kontrollin e plotë të meçit dhe e përmbylli duelin me epërsi të thellë.
Ky turne ka rëndësi të veçantë, pasi pikët e fituara ndikojnë drejtpërdrejt në procesin e kualifikimit për Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028”.
Meçi i radhës për Donjeta Sadikun është caktuar më 24 prill, duke filluar nga ora 16:00.
