UBT News

Fisnik Asllani pranë transferimit te RB Leipzigu, klubi gjerman gati të paguajë 30 milionë euro

Sulmuesi i Hoffenheimit, Fisnik Asllani, është shumë pranë një transferimi te RB Leipzigu, sipas raportimit të gazetës prestigjioze gjermane Bild.

Sipas mediumit gjerman, 23-vjeçari pritet ta finalizojë kalimin te klubi nga Saksonia para përfundimit të këtij muaji. RB Leipzigu është i gatshëm të aktivizojë klauzolën e lirimit prej 30 milionë eurosh, e cila është e përfshirë në kontratën e Asllanit dhe mbetet e vlefshme deri në vitin 2029.

Për sulmuesin kishte shfaqur interes edhe Barcelona, e cila e konsideronte atë si një alternativë në rast se nuk do të arrinte marrëveshje për objektivin kryesor, Julian Alvarez të Atletico Madridit.

Ndërkohë, edhe Borussia Dortmundi e kishte në listën e dëshirave, por klubi verdhezi duhet fillimisht të krijojë hapësirë në skuadër dhe në buxhetin e pagave përpara se të ndërmarrë hapa konkretë për transferimin e tij.

Me zhvillimet e fundit, RB Leipzigu shihet si favorit absolut për të siguruar shërbimet e Asllanit, i cili konsiderohet një nga talentet më premtues të rinj në Bundesligë.

D.L

Exit mobile version