Sulmuesi i talentuar kosovar, Fisnik Asllani, po shndërrohet në një nga emrat më të kërkuar të merkatos verore në Bundesligë, me interes serioz nga Borussia Dortmund dhe RB Leipzig.
Sipas raportimeve të medias gjermane Bild, drejtuesit e Borussia Dortmundit po e shqyrtojnë me seriozitet mundësinë e transferimit të 23-vjeçarit nga Hoffenheimi. Asllani shihet si një përforcim i rëndësishëm për repartin ofensiv, veçanërisht në rast se njëri nga sulmuesit aktualë, Serhou Guirassy ose Karim Adeyemi, largohet gjatë verës.
Burimet bëjnë të ditur se së fundmi kanë ndodhur kontakte mes përfaqësuesve të klubit verdhezi dhe lojtarit, ndërsa vetë Asllani raportohet të jetë i hapur për një transferim te “Signal Iduna Park”. Nga ana e Dortmundit, interesimi për sulmuesin është konfirmuar, por çdo lëvizje konkrete pritet të varet nga zhvillimet në repartin ofensiv të skuadrës.
Megjithatë, situata mbetet e komplikuar për shkak të pranisë së Guirassy dhe Adeyemit në ekip, gjë që mund të shtyjë çdo marrëveshje për një moment të mëvonshëm. Në rast të largimit të ndonjërit prej tyre, Dortmundi pritet të reagojë shpejt për të siguruar shërbimet e Asllanit.
Forma e mirë e sulmuesit në muajt e fundit ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve të Bundesligës. Pas një periudhe të suksesshme huazimi te Elversberg, ku spikati me gola dhe asistime, Asllani ka vazhduar progresin edhe te Hoffenheimi, duke u konsoliduar si një prej talenteve premtues të futbollit gjerman.
Vlera e tij në treg vlerësohet rreth 25 deri në 30 milionë euro, varësisht nga statusi i klubeve të interesuara dhe pjesëmarrja e tyre në garat evropiane. Përveç Dortmundit, në garë është futur edhe RB Leipzig, duke e bërë konkurrencën edhe më të fortë.
Një faktor që mund të luajë rol në këtë transferim mbetet edhe lidhja e Asllanit me drejtuesit sportivë të Dortmundit, të cilët e njohin mirë lojtarin nga periudha e tij te Elversberg.
E ardhmja e Fisnik Asllanit mbetet e hapur, por interesimi i madh nga klubet kryesore të Bundesligës tregon qartë se ai është një nga emrat më të nxehtë të kësaj merkatoje verore.
D.L
