Një prodhues i paneleve diellore i Koresë së Jugut njoftoi të mërkurën se do të investojë më shumë se 2.5 miliardë dollarë për të ndërtuar fabrika në Xhorxhi. Nga kompania thonë se është investimi më i madh diellor në historinë amerikane.
Qcells, një njësi e Hanwha Solutions, parashikon se do të përmbushë rreth 30% të kërkesës totale të paneleve diellore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri në vitin 2027, përfshirë edhe prodhimin e komponentëve të paneleve diellore që zakonisht prodhohen jashtë Shteteve të Bashkuara.
“Derisa kërkesa për energji të pastër po vazhdon të rritet në nivel kombëtar, ne jemi gati t’i shtyjmë mijëra njerëz të punojnë duke krijuar panele diellore plotësisht të prodhura nga Amerika”, deklaroi CEO i QCells, Justin Lee.
Presidenti amerikan, Joe Biden tha se kjo është “fitore për punëtorët, konsumatorët dhe klimën”. Ai tha se përmes saj do të ofrojnë vende të mira pune, do të reduktojnë varësinë e Amerikës nga vendet e tjera për komponentët diellorë, do të ulin koston e paneleve diellore dhe do të ndihmojnë në uljen e emetimeve të karbonit./UBTNews/