Arthur Melo duket se do të rikthehet te Juventus në fund të sezonit pas huazimit te Fiorentina. Një gjë të tillë e konfirmoi edhe agjenti i futbollistit, Federico Pastorello.
Pastorello gjatë eventit “Transfer Room” në Romë tha se paga e Arthur është e papërballueshme për klubin vjollcë, kështu që ai do të kthehet në Torino.
“Arthur është i lumtur në Firence, por nuk mendoj se ata do ta aktivizojnë klauzolën e tij të blerjes. Ndoshta do të ketë bisedime më pas”, deklaroi agjenti italian.
Arthur u bashkua me Fiorentina-n verën e kaluar, në formë huazimi me të drejtë blejre për shifrën e 20 milion eurove.
Ish-mesfushori i Barcelonës dhe Liverpoolit fiton 4.5 milionë euro plus shtesa në sezon dhe kontrata e tij me juventinët skadon në qershor të vitit 2026.
Braziliani numëron 35 paraqitje me fanellen e Fiorentinas këtë edicion në të gjitha garat, ku edhe arriti të asistoj një herë./UBTNews/