Ministri i mbrojtjes i Finlandës, Antti Kaikkonen, u shpreh optimist se Turqia do ta ratifikonte menjëherë anëtarësimin e vendit të tij në NATO, duke pretenduar se Helsinki do të konsideronte dhënien e lejeve të eksportit të armëve për Ankaranë.
Në një intervistë me Reuters pas takimit me homologun e tij turk, Hulusi Akar, Kaikkonen tha se ai nuk ishte në gjendje të parashikonte një afat kohor për ratifikimin nga ana e Turqisë të kërkesës së Finlandës për anëtarësim në NATO.
Megjithatë, një politikan kryesor nga partia qeverisëse e Turqisë AK tha se vendi “nuk po nxitonte” për të ratifikuar ofertat e Suedisë dhe Finlandës në NATO dhe se kjo varej nga koha kur ata të plotësonin kërkesat e Ankarasë.
Të dy vendet nordike kërkuan të bashkohen me NATO-n pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt, por Turqia nuk pranoi të mbështeste anëtarësimin e tyre derisa të përmbusheshin disa kërkesa, përfshirë një qëndrim më të ashpër kundër militantëve kurdë dhe heqjen e një ndalimi për shitjen e armëve.
Në fillim të kësaj jave, Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu pretendoi se Finlanda duhet të heqë një embargo të armëve ndaj Turqisë si kusht për të siguruar mbështetjen e vendit.
Turqia mbetet i vetmi vend që kundërshton anëtarësimin e tyre, megjithëse edhe Hungaria ende nuk e ka ratifikuar atë./UBTNews/