Finalja e kompeticionit më prestigjioz të Evropës për klube, Liga e Kampionëve do të luhej në Shën Petersburg më 28 maj, por pas një takimi që u mbajt sot, UEFA konfirmoi se ndeshja nuk do të mbahet në Gazprom Arena. Në vend të kësaj, organi qeverisës i futbollit evropian ka vendosur që ndeshja të zhvillohet në Stade de France në Paris.
UEFA falënderoi presidentin francez, Emmanuel Macron, për mbështetjen dhe angazhimin e tij personal që loja më prestigjioze e futbollit të klubeve evropiane të zhvendoset në Francë në një kohë krize të pashembullt.
UEFA thekson se së bashku me qeverinë franceze, do të mbështesë plotësisht përpjekjet e shumë palëve për t’i shpëtuar lojtarët e futbollit dhe familjet e tyre në Ukrainë, të cilët po përballen me vuajtje të tmerrshme njerëzore, shkatërrime dhe po zhvendosen nga vendi.
Në këtë takim, UEFA urdhëroi gjithashtu klubet dhe kombëtaret ruse dhe ukrainase që të luajnë ndeshjet e tyre si vendase larg rajonit./UBTNews/