Kryeministri Albin Kurti, dhe ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, përuruan sot në Vushtrri segmentin e përfunduar të rrugës nacionale N2 Prishtinë-Mitrovicë, një projekt me vlerë prej 25 milionë eurosh.
Gjatë kësaj ceremonie, kryeministri Kurti kujtoi se zgjerimi i kësaj rruge në katër korsi kishte nisur që në vitin e largët 2009, por nuk u përfundua asnjëherë sepse, sipas tij, projekti ishte nisur mbrapshtë.
Ai theksoi se brenda afatit dyvjeçar është arritur të përfundohet segmenti me gjatësi prej 9.6 kilometrash, i cili është realizuar falë bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës, Fondit Saudit për Zhvillim dhe Fondit të OPEC-ut për Zhvillim Ndërkombëtar.
“Mos të harrojmë ky projekt ka nisur në vitin e largët 2009 dhe nuk u përfundua asnjëherë për shkak se u nis mbrapshtë. Ky investim prej 25 milionë euro, me gjatësi 9.6 kilometra, është realizuar në bashkëpunim ndërmjet institucioneve tona, Fondit Saudit për Zhvillim si dhe Fondin e OPEC-ut për Zhvillim Ndërkombëtar, për çfarë i falënderoj për mbështetjen dhe kontributin e tyre të çmuar”, tha kryeministri.
Projekti modern përfshin një rrugë anashkaluse prej 4.4 kilometrash që kalon nëpër shtatë fshatra, si dhe 8 nënkalime, 3 mbikalime dhe një urë, duke rritur sigurinë dhe duke lehtësuar qarkullimin për banorët e Prishtinës, Vushtrrisë dhe Mitrovicës.
Nga ana e tij, ministri Dimal Basha falënderoi qytetarët për durimin dhe donatorët për mbështetjen, duke vënë në dukje se kjo rrugë moderne lidh rajonin verior me pjesën tjetër të vendit në mënyrë efikase.
Megjithatë, sfidë mbetet segmenti i fundit nga Smrekonica në Mitrovicë. Kryeministri Kurti bëri të ditur se Qeveria ka marrë vendimin për procedimin e Marrëveshjes së Kredisë me Fondin Saudit për rrugën me shpejtësi të lartë, andaj bëri thirrje që Kuvendi i Kosovës të zhbllokohet sa më parë për të ratifikuar këtë marrëveshje, në mënyrë që punimet në pjesën e mbetur të nisin pa vonesa.
