ATSH/Ambasada Shqiptare në Pragë në bashkëpunim me studion producente çeke “Blue Hill Pictures” organizoi shfaqjen e premierës së filmit shqiptar “Dy Luanë drejt Venecias”, me skenar dhe regji nga Jonid Jorgji dhe aktorët shqiptarë Kastriot Çaushi dhe Vasjan Lami.
Të pranishëm në shfaqje ishin ambasadorë dhe anëtarë të misioneve diplomatike, anëtarë të komunitetit shqiptar, drejtues të kompanive kinematografike, etj. Të ftuar ishin edhe regjisori i filmit Ionid Jorgji dhe aktori kryesor Vasjan Lame.
Në fjalën e mbajtur me ketë rast ambasadori i Shqipërisë në Pragë, Ilirian Kuka theksoi rëndësinë e ngjarjeve të tilla, të cilat kanë munguar gjatë dy viteve të fundit për shkak të pandemisë. Kinematografia shqiptare ka bërë përparime të theksuara dhe aktualisht filmat shqiptarë po shfaqen me sukses në kryeqytetet kryesore te Evropës.
Ambasadori i konfirmoi të pranishmëve që së bashku me ambasadoren e Kosovës , Albesjana Iberhysaj do të jenë të gatshëm dhe mbështesin çdo aktivitet që promovon kulturën dhe traditat shqiptare.
Aktiviteti u zhvillua edhe në kuadër të përvjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Çekisë, 100 vjetor që mbushet në Korrik të vitit 2022.
Filmi “Dy Luanë drejt Venecias” me skenar dhe regji nga Jonid Jorgji është prodhuar nga shtëpia kinematografike “EJF FILM” sh.p.k.
Filmi flet për aventurën e dy kineastëve shqiptarë, rrugës për në festivalin e Venecias, ku takojnë papritur në udhëtimin e tyre dy aktore italiane të filmave për të rritur. Këtu përplasen botëkuptime të ndryshme, që sjellin të papritura.