Filmi i parë në gjuhën arabe që u shfaq në Netflix ka ngjallur polemika në Egjipt për siç thuhet imoralitet dhe shkelje të vlerave tradicionale.
Filmi “Dearest Friends”, trajton lidhjet jashtëmartesore dhe konsumimin e alkoolit. “Dearest Friends”, që u xhirua në Lebanon, është ripërpunim i filmit italian “Perfect Strangers”, film ky i vitit 2016. Aktorët egjiptianë dhe kritikët e filmit i dhanë mbështetje atij.
Skenari rrëfen për shtatë shokë që takohen për darkë. Ata pajtohen të luajnë një lojë, ku çdonjëri vendos telefonin në tavolinë, duke lejuar që mesazhet ose thirrjet t’i shohin të gjithë.
Deputeti dhe gazetari i njohur televiziv, Mustafa Bakry drejtoi ankesa te kryetari i parlamentit egjiptian për kineastët. Bakry u kërkoi autoriteteve të vendit të ndërpresin bashkëpunimin me Netflix “pasi ky nuk është filmi i tij i parë që ka në fokus vlerat dhe traditat e shoqërive egjiptiane dhe arabe”.
Avokati egjiptian, Ayman Mahfouz tha se ai ka ngritur padi kundër kineastëve duke i akuzuar ata për “promovim të homoseksualitetit”, raporton uebfaqja Al-Watan. Akuza thuhet se lidhet me përfshirjen e një personazhi homoseksual në film. Mahfouz ka dërguar edhe një paralajmërim ligjor në Ministrinë e Kulturës në Egjipt për të parandaluar shfaqjen e filmit./UBTNews