Filmi “Dua” me skenar dhe regji të Blerta Bashollit është vlerësuar së fundi në festivalin prestigjioz në Cannes, dhe si rezultat i këtij suksesi, ministrja e kulturës dhe turizmit Saranda Bogujevci ka takuar ekipin.
“Me shumë kënaqësi prita sot në kabinet ekipin e filmit “Dua”, pas suksesit të jashtëzakonshëm në Festivalin e Kanës, ku filmi u nderua me çmimin “SACD” në kuadër të “Semaine de la Critique”.
I përgëzova regjisoren Blerta Basholli dhe gjithë ekipin për këtë arritje të rëndësishme për kinemanë tonë. Ky vlerësim, i ndarë nga Shoqata e Autorëve dhe Kompozitorëve Dramaturgjikë në Francë, dëshmon edhe një herë fuqinë krijuese dhe nivelin artistik që po arrijnë filmbërësit tanë në botë.
“Dua” është sukses i merituar që na bën krenarë të gjithëve dhe një tjetër dëshmi se kinemaja jonë po vazhdon të zërë vend të rëndësishëm në festivalet më prestigjioze të botës”, ka shkruar Bogujevci.
