Filmi “Dua”, me regji dhe skenar nga Blerta Basholli, ka shënuar një sukses të madh ndërkombëtar duke fituar çmimin “SACD” në kuadër të programit prestigjioz “Semaine de la Critique” në Festivalin e Filmit në Kanë.
Ky çmim ndahet nga Shoqata e Autorëve dhe Kompozitorëve Dramaturgjikë në Francë dhe vlerëson veprat me skenar origjinal, vizion autorial dhe qasje të veçantë artistike. Me këtë nderim, “Dua” renditet ndër produksionet më të spikatura të këtij edicioni në një nga festivalet më të rëndësishme të filmit në botë.
Vlerësimi për filmin e Bashollit konsiderohet një tjetër dëshmi e fuqisë krijuese dhe ngritjes së vazhdueshme të kinematografisë kosovare në arenën ndërkombëtare. Suksesi i “Dua” vjen pas rrugëtimit të suksesshëm të regjisores kosovare, e cila tashmë është bërë një nga emrat më të njohur të filmit nga Kosova në skenën botërore.
Ky çmim pritet të rrisë edhe më tej vëmendjen ndërkombëtare ndaj filmit dhe industrisë së filmit në Kosovë, duke konfirmuar potencialin e artistëve kosovarë për të konkurruar në platformat më prestigjioze globale.
