Filmi “Dua”, me regji të Blerta Bashollit, është nderuar me çmimin “Golden Alexander – Michel Demopoulos” për filmin më të mirë artistik në konkursin “Meet the Neighbors+”, në kuadër të edicionit të 67-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Selanik.
Ky vlerësim shënon një tjetër sukses ndërkombëtar për filmin, i cili sjell në ekran një rrëfim intim për rritjen dhe përjetimin e fëmijërisë në Kosovën e pragluftës.
Juria e festivalit e ka vlerësuar filmin për vërtetësinë emocionale dhe vizionin personal mbi një periudhë përcaktuese të historisë së Kosovës.
Në komunikatën e publikuar nga krijuesit e filmit bëhet e ditur se juria veçoi mënyrën se si Basholli e ndjek personazhin kryesor, Duan 13-vjeçare, në Prishtinën e fundit të viteve 1990, kur ajo përballet me ndryshimet e adoleshencës, ndërsa lufta po afrohet.
Juria vlerësoi vendimin e regjisores për ta mbajtur kamerën pranë personazhit, duke theksuar ndershmërinë, humanizmin dhe përmbajtjen me të cilën rrëfehet historia e saj./A.K/
