Qendra Kombëtare e Kinematografisë (QKK) ka shpallur thirrjen për kandidaturat shqiptare në kategorinë “International Feature Film” për edicionin e 97-të të çmimeve OSCAR. Ky është një hap i rëndësishëm për industrinë e filmit shqiptar, që ka mundësinë të garojë në një nga ngjarjet më prestigjioze të kinemasë botërore.
Shtëpitë filmike shqiptare janë ftuar të paraqesin veprat e tyre për shqyrtim dhe mundësi kandidature në këtë kategori, e cila përfshin filmat artistikë me metrazh të gjatë, dokumentarë dhe vizatimorë. Afati i aplikimeve pranë QKK është 12 Shtator 2024.
Për të qenë të pranueshëm, filmat duhet të përmbushin disa kushte të rëndësishme: të kenë metrazh të gjatë mbi 40 minuta dhe të kenë bërë premierën në Shqipëri nga data 1 Nëntor 2023 deri më 30 Shtator 2024. Po ashtu, filmi duhet të jetë shfaqur ose të shfaqet komercialisht në kinema në Shqipëri për të paktën 7 ditë të plota.
Një tjetër kriter është që të paktën 50% e dialogjeve të jenë në gjuhën shqipe dhe të paktën 50% e aktorëve dhe stafit realizues të jenë shqiptarë. Për më tepër, filmi duhet të ketë subtitra të sakta dhe të lexueshme në gjuhën angleze.
Ky edicion i çmimeve OSCAR do të ofrojë mundësi të reja për promovimin e talentit dhe kreativitetit shqiptar në arenën ndërkombëtare të kinemasë. QKK shpreson në një përgjigje të fuqishme nga industria e filmit shqiptar dhe në një përfaqësim të denjë në këtë ngjarje të rëndësishme./UBTNews/