UBT News

Filmat më të mirë të PriFest shfaqen në Podujevë në kuadër të MOVING CINEMA

PriFest vijon traditën e tij vjetore me programin MOVING CINEMA, duke udhëtuar në qytete të ndryshme të Kosovës me filmat fitues të metrazhit të mesëm.

Stacioni i radhës është Podujeva, ku në bashkëpunim me Teatrin “Avdush Hasani”, më 11 dhjetor, në ora 18:00, publiku do të ketë mundësinë të shohë dy filma të regjisorës Aulona Selmani.

Filmat që do të shfaqen:

SI NË VAJ (Zvicër/Kosovë)

Fitues i edicionit të 15-të të PriFest në kategorinë e filmave të metrazhit të mesëm. Filmi ndjek historinë e Nadies, luajtur nga Ilire Vinca, një vejushë e re e cila gjendet nën vëzhgimin dhe kontrollin e kunatave të saj. Një autoportret nga e kaluara vë në pikëpyetje jetën që ajo ka ndërtuar dhe zgjedhjet e saj.

AND THE WIND WEEPS (Zvicër/Kosovë)

Fitues i edicionit të 16-të të PriFest në të njëjtën kategori. Historia fokusohet te Dauti, i mbijetuari i një masakre ku ka humbur djalin. Pas dy dekadash përgatitje për të dëshmuar në Hagë, e kaluara i lëkundet kur vëllai i tij ndërron jetë, duke e lënë atë të vetmin dëshmitar. Filmi ngre dilema të thella mbi drejtësinë, kujtesën dhe përballjen me traumën.

Përmes programit MOVING CINEMA, PriFest vazhdon të promovojë kinemanë kosovare dhe t’i sjellë publikut në qytete të ndryshme filmat më të vlerësuar të festivalit, duke e bërë artin filmik më të afërt, më të qasshëm dhe më të gjallë në mbarë vendin. /A.Z/UBT News/

 

Exit mobile version