UBT News

Fillon gjyqi për skandalin financiar të Vatikanit

“10 të pandehurit përfshijnë disa klerikë të lartë, punonjës të Selisë së Shenjtë, menaxherë të jashtëm dhe kardinalin Giovanni Angelo Becciu 73- vjeç, një ndihmës i afërt i Papa Françeskut”

Një gjykim historik mbi mashtrimet e dyshuara financiare në lidhje me fondet bamirëse katolike filloi të martën në Vatikan, bëjnë të ditur mediat lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Agjencia italiane e lajmeve ANSA njoftoi se 10 të pandehurit përfshijnë disa klerikë të lartë, punonjës të Selisë së Shenjtë, menaxherë të jashtëm dhe kardinalin Giovanni Angelo Becciu 73- vjeç, një ndihmës i afërt i Papa Françeskut, në një rast që rrjedh nga një investim humbës në një marrëveshje kontraverse pronësie në lidhje me një ndërtesë në Sloane Avenue në Londër.

“Becciu, i cili vitin e kaluar dha dorëheqjen si prefekt i Kongregatës për Kauzat e Shenjtorëve, akuzohet për përvetësim dhe shpërdorim detyre në lidhje me pretendimet për keqbërje kur ai ishte Zëvendës sekretar i Shtetit të Vatikanit”, shtoi ANSA.

“Seanca e së martës kishte të bënte me çështjet procedurale dhe pranimin e paditësve civilë, të cilët përfshinin Sekretariatin e Shtetit të Vatikanit dhe bankën e Vatikanit, IOR”, raportoi agjencia e lajmeve.

Vitin e kaluar, i përfshirë në një marrëveshje të diskutueshme pronësie, Becciu, një zyrtar i lartë i Vatikanit, dha dorëheqjen papritur.

Ai ishte i përfshirë në një marrëveshje për të blerë pronë luksoze në Londër me fonde të kishës, me sa duket si një investim. Marrëveshja shumë e diskutueshme ishte më pas subjekt i një hetimi financiar. Kardinali ka mohuar çdo shkelje.

Becciu u emërua kardinal në vitin 2018.

Exit mobile version