Edicioni i 24-të i Festivalit ReMusica do të mbahet nga 27 deri më 31 tetor. Organizatorët kanë njoftuar se këtë vit është tema “Contrasts”, duke eksploruar ndërthurjen mes traditës dhe modernitetit në muzikë.
Programi i sivjetshëm do të nxjerrë në pah kontrastet stilistike dhe bashkëjetesën e natyrshme të këtyre dy botëve muzikore.
Gjatë pesë ditëve të festivalit, ReMusica do të sjellë 18 koncerte me mbi 160 pjesëmarrës, duke bashkuar artistë nga Kosova dhe Evropa.
Përmes këtij dialogu muzikor, festivali synon të reflektojë mbi marrëdhënien mes traditës dhe risisë, rolin e festivaleve në jetën e qytetit dhe rëndësinë e mbështetjes së artistëve në zhvillim.
Në skenë do të ngjiten emra të njohur si violinisti Tedi Papavrami dhe pianistja Maki Okada, dueti francez Leleu Brothers, trumpetisti Romain Leleu dhe tubisti Thomas Leleu, ReVocal Ensemble nën drejtimin e Rafet Rudit, Nieuw Amsterdams Klarinet Kwartet nga Holanda, Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, ansambli Zefiro Torna dhe shumë të tjerë.
Ansambli Zefiro Torna do të jetë i pranishëm si artist rezident, me Alon Sariel, Jurgen de Bruyn, Christos Barbas e Elly Aerden, Agona Shporta vjen me bashkëpunim të veçantë.
Programi përfshin koncerte të xhepit, ku publiku ka mundësi të zbulojë artistë unikë, si dhe koncerte tematike e autorë në fokus.
Një pjesë e rëndësishme e festivalit është edhe ReMusica Junior, që rikthehet me program për fëmijë. Ai do të përfshijë koncerte, punëtori dhe aktivitete interaktive, të krijuara për të nxitur kuriozitetin dhe kreativitetin e të vegjëlve.
Ndërkohë, Platforma ReNew do të vazhdojë misionin e saj për mbështetjen e artistëve në zhvillim.
“Gjatë periudhës 27–31 tetor, ReMusica do të ofrojë jo vetëm programe artistike, por edhe hapësira për rrjetëzim dhe bashkëpunim ndërkombëtar,” thuhet në njoftimin e organizatorëve. /A.Z/UBT News/