Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka nisur dëshmia e dytë e Prokurorisë në rastin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Dëshmitari i dytë, Koen Herlaar nga Instituti i Kriminalistikës së Holandës (IKH), ka treguar se punon aty që prej vitit 2009 si ekspert i kriminalistikës dhe se roli i tij është të ekzaminojë prova dhe gjurmë që lidhen me dokumentet dhe objektet e të dyshuarve. Ai tha:
“Ne bëjmë gjurmimet e materialeve, instrumenteve dhe mjeteve të ndryshme, ekzaminojmë objekte dhe lidhim gjurmët me dokumente ose persona të dyshuar. Mund të analizojmë edhe vendngjarjet dhe objektet e përfshira aty.”
Gjatë seancës, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu kërkuan ndryshimin e kushteve të lirimit me kusht, por Prokuroria kundërshtoi dhe u obligua të zgjerojë parashtrimet më vonë. Ndërkaq, Hashim Thaçi, i pranishëm përmes video-lidhjes, u ankua për mungesë përkthimi gjatë procedurës.
