Ka nisur aktivitetin në kuadër të festivalit ndërkombëtar të dijes “Global UBT Fest 2021”, Akademia Ndërkombëtare Verore e Fakultetit Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë në UBT, me pjesëmarrës të shumtë të cilët po marrin njohuri dhe përvoja profesionale nga ekspertë të ndërtimit dhe infrastrukturës.
Profesori Ahmet Bytyqi ka nisur ligjëratën rreth teknologjisë dhe shoqërisë, ku ka diskutuar me të pranishmit në mënyrë të përgjithësuar rreth kësaj teme, teksa profesori Feti Selmani shpjegoi rreth koncepteve të gabuara në inxhinierinë e strukturave, çështje që zgjoi shumë interesim tek pjesëmarrësit.
Profesori Ibush Luzha ka vazhduar ditën e parë të Akademisë Ndërkombëtare Verore të Fakultetit Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë, duke diskutuar me të pranishmit rreth standardizimit, ndërkaq Nehat Koqinaj foli më shumë rreth sistemit të menaxhimit emergjent në Kosovë, sistem ky i domosdoshëm dhe i nevojshëm për çdo shoqëri të botës.
Për integrimin e një inxhinieri nga Kosova dhe mundësitë e punësimit në Gjermani, foli vet Dardan Jashari, ish-student i Fakultetit Inxhinieri Ndërtimore dhe Infrastrukturë në UBT, i cili ushtron profesionin e inxhinierit në shtetin e Gjermanisë, falë studimeve në UBT dhe diplomës që është e barasvlefshme me atë të Gjermanisë, teksa Dardan Jashari me të pranishmit ka shtrirë diskutimin edhe rreth përgatitjes së dokumentacionit të nevojshëm për një projekt në Gjermani, e që është i pranueshëm nga autoritetet përgjegjëse atje.
Akademia Ndërkombëtare Verore e Fakultetit Inxhinieri Ndërtimore dhe Infrastrukturë në UBT do të vazhdojë aktivitetin edhe ditëve të ardhshme me tema dhe diskutime interesante dhe të frytshme, të cilat synojnë zgjerimin e njohurive dhe aftësive të studentëve, të rinjve dhe profesionistëve të sektorit të ndërtimit.