UBT News

Filharmonia e Kosovës sjell përvojë muzikore për fëmijë në Prishtinë me “Pjetri dhe Ujku”

Filharmonia e Kosovës ka organizuar një aktivitet të veçantë për fëmijët në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, në kuadër të programit “Arti në shkolla”.

Kuinteti Frymor i Filharmonisë solli veprën e njohur “Pjetri dhe Ujku” nga Sergei Prokofiev, duke i afruar nxënësit e shkollave fillore me botën e instrumenteve muzikore. Në këtë interpretim, çdo instrument u shndërrua në një personazh të veçantë, duke e bërë rrëfimin më të gjallë, të kuptueshëm dhe atraktiv për publikun e ri.

Në këtë performancë morën pjesë Zanë Abazi (flaut), Xhovana Marku (obo), Shkumbin Bajraktari (klarinetë), Meriton Ferizi (fagot), Ilir Kodhima (korno), si dhe Anda Gjini në rolin e tregimtares. Ata krijuan një atmosferë interaktive, ku fëmijët reaguan me kuriozitet, buzëqeshje dhe pjesëmarrje të vazhdueshme.

Filharmonia njofton se nesër do të mbahet koncerti i radhës me titull “DIALOG – Njohje me instrumentin e trombonit”, me trombonistin Betim Krasniqi dhe pianistin Misbah Kaçamaku.

Exit mobile version