Një mbrëmje e veçantë që vjen në bashkëpunim me Konsullatën e Kosovës në Varshavë, Filharmonia e Kosovës sjell në Prishtinë Kuartetin Harkor të Filharmonisë së Krakovës – një ansambël që mishëron traditën e shkëlqyer polake të muzikës së dhomës dhe finesën e interpretimit evropian.
Më 5 maj 2026, në Hollin e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, katër muzikantë të shquar të Filharmonisë së Krakovës – Joanna Konarzewska, Zuzanna Frankiewicz, Jan Czyżewski dhe Martyna Sołtys do të interpretojnë dy kryevepra të muzikës polake për kuartet harkor: Kuartetin Harkor Nr. 3 të Grażyna Bacewicz dhe Kuartetin Harkor Nr. 2, Op. 42 të Władysław Żeleński.
Në këtë program takohen energjia moderne dhe forca ekspresive e Bacewicz me lirizmin romantik dhe finesën kompozicionale të Żeleński-t, duke krijuar një udhëtim artistik përmes identitetit muzikor polak. Për publikun e Prishtinës, kjo mbrëmje është një mundësi e rrallë për të përjetuar nga afër interpretimin e një ansambli që përfaqëson një prej institucioneve më të rëndësishme muzikore të Evropës Qendrore.
Ky koncert është më shumë se një paraqitje artistike është një takim kulturash, një dialog përmes tingullit dhe një dëshmi e fuqisë së muzikës për të ndërtuar ura ndërmjet vendeve.
