Dje në qytetin e muzikës, Vjenë, Orkestra Harkore e Filharmonisë së Kosovës u prezantua me sukses, nën drejtimin e dirigjentit Edon Ramadani.
Koncerti, i organizuar në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Austri, u mbajt në Sallën e Madhe të Haus der Industrie, duke shënuar një moment historik – prezantimin e parë të Filharmonisë së Kosovës në kryeqytetin austriak.
Programi i mbrëmjes përfshiu vepra nga Felix Mendelssohn, Drinor Zymberi dhe Valton Beqiri, si dhe interpretimet mbresëlënëse të sopranove Arta Jashari dhe Zana Abazi – Ramadani.
Publiku e priti me entuziazëm këtë mbrëmje të veçantë, e cila u realizua në kuadër të 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke dëshmuar fuqinë e kulturës si urë lidhëse mes dy vendeve.
