Filharmonia e Kosovës do të sjellë dy koncerte edukative për nxënësit e shkollave fillore në kuadër të programit “Arti në shkolla”, me qëllim afrimin e fëmijëve me muzikën klasike dhe instrumentet muzikore.
Koncertet do të mbahen në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë dhe do t’i dedikohen publikut të ri.
Më 4 qershor 2026, duke filluar nga ora 13:30, Kuinteti Frymor i Filharmonisë së Kosovës do të interpretojë veprën e njohur “Pjetri dhe Ujku” të Sergei Prokofiev, të aranzhuar nga David Sale. Në këtë koncert do të performojnë Zanë Abazi në flaut, Xhovana Marku në obo, Shkumbin Bajraktari në klarinetë, Meriton Ferizi në fagot dhe Ilir Kodhima në korno.
Një ditë më vonë, më 5 qershor, në të njëjtën orë dhe vend, do të prezantohet koncerti “Dialog”, me vepra të kompozitorëve David Hartzell, James Curnow, Robert Clérisse, Leroy Ostransky dhe Thomas Simaku. Në këtë mbrëmje do të interpretojnë Betim Krasniqi në trombon dhe Misbah Kaçamaku në piano.
Përmes këtyre aktiviteteve, Filharmonia e Kosovës synon të nxisë interesimin e fëmijëve për muzikën artistike dhe t’u ofrojë atyre një përvojë të afërt me botën e instrumenteve dhe interpretimit muzikor.
