UBT News

Filharmonia e Kosovës nderon Nënë Terezën me koncert të veçantë në Prishtinë

Filharmonia e Kosovës ka mbajtur të shtunën mbrëma një koncert kushtuar Nënë Terezës, duke bashkuar traditën muzikore shqiptare dhe atë polake në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.

Nën drejtimin e dirigjentit polak Wojciech Czepiel, janë interpretuar vepra të kompozitorëve Krzysztof Penderecki, Fahri Beqiri, Karol Szymanowski dhe Mendi Mengjiqi.

Pjesa kryesore e mbrëmjes ishte oratoriumi monumental “Homagium Matri Teresiae” i Mendi Mengjiqit, kushtuar Nënë Terezës, i interpretuar nga orkestra, kori dhe solistët e Filharmonisë.

Dirigjenti Czepiel vlerësoi interpretimin e orkestrës, ndërsa solistët e cilësuan koncertin si një përvojë të veçantë artistike.

Bashkëpunimi mes Filharmonisë së Kosovës dhe asaj të Krakovës do të vazhdojë në Poloni, ku i njëjti program do të prezantohet më 16 dhe 17 tetor.

D.L

Exit mobile version