UBT News

Filharmonia e Kosovës mban koncert për Pavarësi, orkestra dhe kori duartrokiten nga qindra shikues të përlotur

Filharmonia e Kosovës ka dhënë koncertin tradicional në shënim të përvjetorit të Pavarësisë. Me një rrugëtim muzikor nëpër vepra të kompozitorëve nga Kosova, që shpërfaqin traditën dhe historinë e popullit të Kosovës, Orkestra dhe Kori u duartrokitën gjatë në këtë ditë të veçantë.

Ky koncert i Filharmonisë së Kosovës është një ngjarje e rëndësishme për kulturën dhe artin në vend. Kjo pasqyron edhe lidhjen e ngushtë mes muzikës dhe historisë së Kosovës, duke sjellë veprat e kompozitorëve kosovarë, të cilat i japin një dimension edhe më të veçantë këtij përvjetori të Pavarësisë.

Nën dirigjimin e Baki Jasharit, koncerti nisi me ‘Suita Ilire’ të Mark Kaçinarit, i cili këtë vit përkujtohet në 90-vjetorin e lindjes së tij.

Kjo veprimtari muzikore pasqyron elemente të kulturës dhe traditës shqiptare, si dhe historinë e popullit të Kosovës. Përveç kësaj, Kaçinari ka komponuar shumë vepra të tjera, të cilat janë interpretuar nga orkestrat më të njohura në rajon.

Programi përfshiu gjithashtu tri vepra premierë: Fantazi për piano dhe orkestër nga Blondi Krasniqi me solistin virtuoz nga Tetova, Shkëlzen Baftiarin; poemën simfonike Mizer-Reçak të Liburn Jupollit, një homazh për viktimat e masakrës së Reçakut; dhe kantatën ‘I miri i motrës’ të Korab Shaqirit, me solisten e mirënjohur, mexosopranon Flaka Goranci.

Vlen të përmendet se Blondi është më i riu në Ballkan që Orkestra e Shtetit i luan veprën e tij, e para ishte në vitin 2018.

U interpretua gjithashtu ‘Dies Irae’ nga ‘Messa da Requiem’ e Verdit, ndërsa koncerti u përmbyll me veprën ‘Vendi im’ të Valton Beqirit, e kompozuar mbi temën e këngës Mallëngjimi.

Muzika e korit shpesh është shumë emocionuese për shkak të ndikimit të fuqishëm të tingujve kolektivë dhe harmonisë që krijohet nga zërat e shumë individëve. Kur këndon një kori, veçanërisht në një koncert të filharmonisë, ka një ndjenjë të veçantë solidariteti dhe bashkësi, që shpërndahet në publik e siç mund ta shihni në këtë foto dikush nga audienca edhe derdhi lot.

Pjesë e këtij eventi kaq me vlerë ishin edhe: Kryeministri Albin Kurti, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Përndryshe, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të vazhdojë me agjendën koncertale më 27.02.2025 në Atelienë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë, ku, nën dirigjimin e mjeshtrit francez-zviceran Antoine Marguier, do të interpretojë vepra nga Mulliqi, Beqiri, Puccini, Verdi, Aliçkaj dhe De Falla. /Albina Zeneli – UBT News/

Exit mobile version