Filharmonia e Kosovës do ta hapë sezonin koncertal 2026/2027 me veprën monumentale “The Planets” të kompozitorit britanik Gustav Holst.
Koncerti do të mbahet më 25 shtator, nga ora 19:30, në Klan Arena në Prishtinë. Në skenë do të jenë rreth 110 muzikantë, në një format të zgjeruar të Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës.
Në koncert do të marrin pjesë edhe instrumentistë mysafirë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Gjermania dhe Holanda, si dhe Kori i Grave i Filharmonisë së Kosovës.
Orkestra do të drejtohet nga dirigjenti Gregory Charette, i cili është edhe dirigjenti kryesor mysafir i sezonit 2026/2027.
“The Planets” përbëhet nga shtatë pjesë, të dedikuara për planetet Mars, Venus, Merkur, Jupiter, Saturn, Uran dhe Neptun.
Koncerti shënon nisjen e sezonit të ri të Filharmonisë së Kosovës dhe pritet të sjellë një program të zgjeruar orkestral para publikut në Prishtinë./A.K/
