UBT News

FIFA prezanton një tjetër shpërblim për kampionët e botës

Trofeu i Kupës së Botës dhe medaljet e arta nuk do të jenë shpërblimet e vetme për ekipin që do të shpallet kampion i botës. FIFA ka prezantuar edhe një dhuratë të veçantë, duke sjellë në futboll një nga traditat më të njohura të sportit amerikan.

Për herë të parë, kampionët e botës do të marrin unaza të personalizuara, të cilat do të simbolizojnë triumfin në ngjarjen më të madhe të futbollit.

Çdo unazë do të jetë pjesë e një edicioni të kufizuar prej vetëm 2.026 copësh, secila me numër individual. Nga to, 30 unaza do t’u dhurohen anëtarëve të ekipit fitues, ndërsa 1.996 do të dalin në shitje për tifozët në mbarë botën.

Në njërën anë të unazës do të jetë i gdhendur trofeu i Kupës së Botës, ndërsa ana tjetër do të personalizohet për të pasqyruar identitetin e kombëtares fituese.

Menjëherë pas finales, kapiteni dhe trajneri kryesor i ekipit kampion do të marrin unaza të përkohshme, ndërsa më vonë do të prodhohen dhe dorëzohen 30 unazat e personalizuara për skuadrën fituese.

Finalja e Kupës së Botës do të zhvillohet të dielën, ku për titullin kampion do të përballen Spanja dhe Argjentina.

D.L

Exit mobile version