UBT News

FIFA prezanton format të ri për ceremoninë e himneve në Kupën e Botës 2026

FIFA ka vendosur të sjellë një format të ri për ceremoninë e himneve kombëtare në ndeshjet e FIFA World Cup 2026, që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.

Sipas formatit të ri, skuadrat do të rreshtohen rreth rrethit qendror të fushës, përballë njëra-tjetrës gjatë interpretimit të himneve kombëtare. Në ceremoni do të marrin pjesë jo vetëm njëmbëdhjetë lojtarët titullarë, por edhe të gjithë futbollistët zëvendësues, ndërsa pas ekipeve do të shfaqen flamuj të mëdhenj të vendeve përkatëse.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, deklaroi se ky ndryshim synon të krijojë një atmosferë më të veçantë para fillimit të ndeshjeve.

“Fakti që të gjithë lojtarët dhe gjyqtarët do të jenë përballë njëri-tjetrit në qendër të fushës do të krijojë një moment uniteti, krenarie dhe emocionesh të forta që do të lidhë ekipet dhe të gjithë në stadium”, u shpreh Infantino.

FIFA ka njoftuar gjithashtu se gjatë turneut do të prezantohen edhe elemente të tjera të reja në ceremonitë para ndeshjeve. Në fazat eliminatore dhe ato përfundimtare pritet të përdoren edhe fishekzjarrë dhe efekte të tjera vizuale, me synimin për të rritur emocionin dhe spektaklin në ndeshjet më të rëndësishme të Botërorit.

Me këto ndryshime, FIFA synon ta bëjë Kupën e Botës 2026 një përvojë edhe më të veçantë për lojtarët, tifozët dhe miliona shikues në mbarë botën.

Exit mobile version