UBT News

​FIFA po e mendon një propozim që mund të ndryshojë futbollin

Edicioni i 100-vjetorit të Kupës së Botës, që do të zhvillohet në vitin 2030, mund të sjellë një risi të madhe me pjesëmarrjen e 64 ekipeve.

Sipas The Athletic, ideja tashmë nuk është vetëm një spekulim, por një propozim konkret i diskutuar në një takim të mbajtur në selinë amerikane të FIFA-s në Trump Tower, New York.

Në samit morën pjesë presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, sekretari i përgjithshëm Mattias Grafstrom dhe një delegacion i nivelit të lartë nga Amerika e Jugut, i kryesuar nga presidenti i CONMEBOL-it, Alejandro Domínguez.

Të pranishëm ishin gjithashtu presidentët e Paraguait dhe Uruguait, si dhe krerët e federatave të futbollit të Argjentinës, Paraguait dhe Uruguait.

Presidenti argjentinas Javier Milei mungoi për shkak të një takimi me Donald Trump.

Zgjerimi mendohet si një mënyrë për të nderuar edicionin e parë të Botërorit, i zhvilluar në Uruguaj më 1930, duke i dhënë më shumë peshë vendeve të Amerikës së Jugut- Argjentinës, Paraguait dhe Uruguait që aktualisht parashikohet të organizojnë vetëm nga një ndeshje hapëse, përpara se turneu të zhvendoset në Spanjë, Portugali dhe Marok.

Megjithëse po shqyrtohet për herë të parë në mënyrë zyrtare, që ideja është hedhur që në mars nga kreu i Federatës së Uruguait, Ignacio Alonso, në një mbledhje të Këshillit të FIFA-s.

Por jo të gjithë e shohin pozitivisht këtë mundësi. Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, e ka cilësuar si “të tmerrshme”, ndërsa kreu i CONCACAF-it, Victor Montagliani, shprehu rezerva duke kujtuar se ende nuk është zhvilluar as Botërori i parë me 48 ekipe.

Vendimi final do të varet nga balancimi i interesave sportive, financiare dhe organizative mes FIFA-s dhe konfederatave kontinentale.

Nëse miratohet, Botërori i vitit 2030 do të hyjë në histori jo vetëm për jubileun e tij të 100-vjetorit, por edhe si turneu më i madh ndonjëherë në futbollin botëror./S.K/KP/

Exit mobile version