Federata Ndërkombëtare e Futbollit ka hapur një procedurë disiplinore ndaj katër anëtarëve të përfaqësueses së Argjentinës, pas përleshjeve që shpërthyen në fund të finales së Kupës së Botës, ku skuadra u mposht nga Spanja.
Komiteti Disiplinor i FIFA-s ka emëruar një prokuror disiplinor dhe etik për të shqyrtuar ngjarjet që ndodhën menjëherë pas vërshëllimës së fundit të gjyqtarit. Nëse shpallen fajtorë, lojtarët ose anëtarët e stafit teknik të përfshirë mund të përballen me pezullime, ndërsa Federata Argjentinase e Futbollit (AFA) rrezikon të ndëshkohet me gjobë.
Hetimi përfshin futbollistët Nahuel Molina, Leandro Paredes dhe Thiago Almada, si dhe ndihmës trajnerin Roberto Ayala.
Fillimisht, FIFA njoftoi se Leandro Paredes ishte ndëshkuar me karton të kuq nga gjyqtari Slavko Vinçiç, pasi dyshohej se kishte kapur për fyti mbrojtësin spanjoll Eric Garcia dhe e kishte shtyrë atë. Megjithatë, menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, kartoni i kuq i Paredes u hoq nga raporti zyrtar i takimit.
Spanja fitoi finalen ndaj Argjentinës me rezultatin 1-0 pas kohës shtesë, falë golit të Ferran Torres, duke u shpallur kampione e botës për herë të dytë në histori.
D.L
