FIFA ka vendosur të bëjë një ndryshim historik në kalendarin ndërkombëtar të futbollit. Pas përfundimit të Kupës së Botës 2026, periudhat e pushimit për ekipet kombëtare do të riformatohen, me synimin për të ulur udhëtimet e shumta të lojtarëve dhe për t’i dhënë trajnerëve më shumë kohë pune me skuadrat.
Nga sezoni i ardhshëm dhe deri të paktën në vitin 2030, pushimet e shtatorit dhe tetorit do të bashkohen në një dritare të vetme trejavore. Konkretisht, kampionatet kombëtare do të ndalojnë nga 21 shtatori deri më 6 tetor, me rikthimin e ndeshjeve të klubeve që pritet pas datës 10 tetor.
Në këtë periudhë, kombëtaret do të zhvillojnë katër ndeshje, të cilat deri më tani ishin të shpërndara në dy pushime të ndara.
Ky eksperiment, sipas FIFA-s, do të zgjasë së paku deri në Kupën e Botës 2030 dhe ka për qëllim lehtësimin e ngarkesës së futbollistëve që shpesh përballen me udhëtime transatlantike dhe ndryshime të mëdha të zonave kohore.
Ky vendim shihet si një pikë kthese për mënyrën se si do të organizohen kalendarët e futbollit ndërkombëtar në vitet e ardhshme./S.K/KP/