UBT News

FIFA ndalon shishet e ujit në stadiumet e Kupës së Botës 2026

FIFA ka bërë një ndryshim të fundit në rregullat e stadiumeve për Kupën e Botës 2026, duke ndaluar tifozët të futin shishe uji në të gjitha ndeshjet që do të zhvillohen në Amerikën e Veriut.

Sipas raportimeve të “New York Times”, më herët rregullorja e FIFA-s lejonte futjen e shisheve plastike bosh dhe të ripërdorshme deri në një litër, për përdorim personal brenda stadiumeve. Megjithatë, kodi i sjelljes i përditësuar më 2 qershor e ka hequr këtë leje, duke ndaluar plotësisht hyrjen e tyre.

Në rregulloren e re theksohet se, për arsye sigurie, çdo lloj shisheje e fortë mund të ndalohet, pasi mund të përdoret si objekt i rrezikshëm në rast hedhjeje në tribuna.

Vendimi pritet të ngjallë debat, pasi tifozët nuk do të kenë më mundësi të mbushin shishet e tyre në burimet e ujit brenda stadiumeve. Në turne të mëparshëm, përfshirë Kupën e Botës për Klube, janë ngritur shqetësime edhe për çmimet e larta të ujit brenda impianteve sportive.

Ndërkohë, ende nuk janë bërë të ditura çmimet zyrtare për Kupën e Botës 2026, por FIFA vazhdon partneritetin e saj me “Coca-Cola”, ndërsa pritet që uji i ambalazhuar të jetë i disponueshëm në stadiume.

Argjentina është kampione në fuqi e botës, pas triumfit në Katar 2022.

Exit mobile version