Dyshimet rreth golit të parë të Anglisë në ndeshjen ndaj Norvegjisë vazhdojnë të jenë temë diskutimi, pasi është pretenduar se topi preku kabllon e kamerës mbi fushë dhe ndryshoi drejtim para se të niste aksioni që solli golin e Jude Bellinghamit.
Megjithatë, FIFA ka hedhur poshtë kategorikisht këto pretendime, duke insistuar se nuk ka pasur asnjë kontakt mes topit dhe kabllos.
“Pamjet nga kamera në fjalë tregojnë qartë se kamera nuk dridhet dhe nuk lëviz, çka dëshmon se topi nuk ka prekur kabllon”, thuhet në deklaratën e FIFA-s për mediumin gjerman Sportschau.
Dyshimet lindën pasi goditja e portierit të Norvegjisë, Orjan Nyland, pati një trajektore të pazakontë. Fluturimi i topit dukej më i shkurtër se zakonisht, duke nxitur spekulime se ai mund të kishte prekur kabllon e kamerës dhe më pas kishte rënë pothuajse vertikalisht.
Pas kësaj situate, topi përfundoi te futbollistët anglezë, të cilët ndërtuan aksionin që u mbyll me golin e barazimit 1:1 nga Jude Bellingham.
Sipas FIFA-s, edhe të dhënat e regjistruara nga çipi i vendosur brenda topit konfirmojnë se nuk ka pasur asnjë kontakt me kabllon. Federata thekson se, nëse një prekje e tillë do të ishte konstatuar, loja do të ishte ndërprerë dhe goli nuk do të ishte pranuar.
D.L
