UBT News

​FIFA lartëson Kosovën: Ngritje historike, tani janë në prag të Botërorit

Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) ka publikuar një postim të veçantë për Kombëtaren e Kosovës, duke e cilësuar rrugëtimin e saj si një ngritje historike.

Në faqen zyrtare, FIFA kujton se Kosova, e cila debutoi në Renditjen Botërore të FIFA-s në vitin 2016 në pozitën e 190-të, tashmë ka arritur në vendin e 84-të si pozita më e lartë në historinë e saj.

“Kosova ka bërë një ngritje historike nga vendi i 190-të në vitin 2016, në të 84-in sot. Tani janë në prag të debutimit në Kupën e Botës,” thuhet në postimin e FIFA-s, duke shoqëruar mesazhin me simbolin e Kosovës dhe një përgëzim për progresin e ekipit.

Ky vlerësim i FIFA-s vjen në një moment kritik për Dardanët, të cilët gjenden para dy ndeshjeve vendimtare në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2026, më 15 nëntor përballë Sllovenisë në Lubjanë dhe më 18 nëntor ndaj Zvicrës në “Fadil Vokrri”.

Kosova po synon të shkruajë historinë duke u kualifikuar për herë të parë në Kampionatin Botëror, ndërsa vlerësimi i FIFA-s shërben si motivim shtesë për skuadrën e drejtuar nga Franco Foda./S.K/KP/FIFA/

Exit mobile version