Për edicionin e 21-të të Lojërave Mesdhetare që do të mbahet në Prishtinë në vitin 2030, është vendosur që futsalli të zëvendësojë futbollin. Kjo është hera e parë që futsalli përfshihet në programin zyrtar të Lojërave, duke zëvendësuar turneun tradicional të futbollit për moshat nën 21 vjeç.
Anëtari i Bordit të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, Stavri Bello, tha për KosovaPress se ky ndryshim është bërë me kërkesë të FIFA-s, me qëllim zhvillimin dhe ndërkombëtarizimin më të madh të futsallit si sport.
“FIFA vendosi që në Lojërat Mesdhetare të zhvillohet futsalli në vend të futbollit, pasi ky i fundit nuk ka pasur interes të madh në garat për moshat e reja,” shpjegoi Bello.
Ky ndryshim ka ngritur pyetje nëse investimet për ndërtimin dhe rinovimin e stadiumeve në Kosovë do të ngadalësohen, por autoritetet janë shprehur se këto investime do të vazhdojnë sipas planit afatgjatë.
Kushtrim Krasniqi, zëdhënës i Komitetit Olimpik të Kosovës, tha se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nuk do të ndryshojë ritmin e investimeve në stadiume dhe infrastrukturë sportive, megjithë ndryshimin në programin e Lojërave.
Nga ana tjetër, Fidan Shatri, Kryesues i Komisionit për Licencim të Federatave Sportive në MKRS, theksoi se plani pesëvjeçar për ndërtimin dhe rinovimin e 27 stadiumeve do të vazhdojë pa ndryshime.
“Futsalli kërkon infrastrukturë të mbyllur, pra palestra dhe qendra sportive, prandaj përgatitjet për Lojërat do të përfshijnë edhe këto ambiente,” tha Shatri.
Lojërat Mesdhetare 2030 do të jenë hera e parë që Kosova do të organizojë këtë ngjarje madhore sportive, duke treguar një rritje të besimit ndërkombëtar në kapacitetet e vendit për të mirëpritur evente të rëndësishme sportive.